Në datat 21 Prill – 03 Maj 2025, në kuadër të projektit “Përgatitja e mësuesve të TIK mbi Inteligjencën Artificiale: Inteligjenca Artificiale në Klasë”, financuar nga Fondacioni Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim (AADF), përmes programit Ekspertizë Kërkimore Shkencore nga Diaspora Akademike (READ), Universiteti Barleti priti Prof. Asoc. Sokol Kosta nga Universiteti Aalborg, Danimarkë.
Gjatë vizitës u organizuan dy workshope mbi “Mësimin e Inteligjencës Artificiale”: një me studentët e Departamentit të Shkencave të Aplikuara dhe Kompjuterike dhe një me mësues të TIK, studentë në programin Master Profesional në Mësuesi në TIK. Studentët dhe mësuesit patën mundësinë të angazhoheshin në ushtrime praktike mbi machine learningdhe inteligjencën artificiale, të udhëhequr nga Prof. Asoc. Kosta.
U zhvillua gjithashtu një aktivitet prezantues i projektit, i përshëndetur nga rektorja Prof. Dr. Suzana Guxholli dhe zv/rektori për kërkimin shkencor, Prof. Dr. Aleksandër Xhuvani, të cilët theksuan rëndësinë e bashkëpunimit me AADF dhe nevojën për integrimin e teknologjive të reja, si inteligjenca artificiale, në sistemin arsimor.
Prof. Asoc. Sokol Kosta dhe Prof. Asoc. Genta Rexha prezantuan rezultatet e projektit dhe njoftuan përgatitjen e një moduli trajnues për mësuesit e TIK mbi inteligjencën artificiale.




